FEMSH në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së
DEKLARATË
FEMSH në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së
Tiranë, 17 shtator 2026
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Dënimet e rënda të dhëna pas një procesi që ka zgjatur për vite me radhë dhe një periudhe të gjatë paraburgimi janë pritur me dhimbje nga shqiptarët kudo që jetojnë. Në këto momente, FEMSH shpreh solidaritetin e plotë me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë ndër figurat që morën mbi vete përgjegjësinë e organizimit dhe drejtimit të rezistencës në një nga periudhat më të vështira të historisë së Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, dinjitet dhe mbijetesë përballë dhunës, masakrave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve nga regjimi serb.
Asnjë aktgjykim nuk mund ta vendosë në bankën e të akuzuarve luftën çlirimtare të Kosovës. Asnjë vendim individual nuk mund të zhbëjë të vërtetën mbi agresorin dhe viktimën, mbi shtypjen dhe rezistencën, apo mbi sakrificën që i hapi rrugën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Ky është një aktgjykim i shkallës së parë dhe procesi juridik nuk ka përfunduar. FEMSH shpreh besimin se në fazën e ankimit do të shqyrtohen me paanshmëri të gjitha argumentet, provat dhe rrethanat, duke garantuar plotësisht të drejtat e të dënuarve.
Në këtë moment të rëndë, shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kontributit të atyre që u vunë në shërbim të lirisë së Kosovës.
FEMSH qëndron në krah të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës.
UÇK-ja ishte dhe mbetet faqja më e ndritur e përpjekjes së popullit të Kosovës për liri.
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH)