NJOFTIM PËR SHTYP: Kriza e çmimeve të karburanteve, rrezik real për ekonominë. Biznesi kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore

Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar dhe Kryetari i tij, Prof. Dr. Besim Beqaj, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Aleancën Kosovare të Biznesit dhe organizatat përfaqësuese të biznesit në hapësirën mbarëshqiptare, zhvilluan një konferencë për shtyp dhe publikuan një deklaratë të përbashkët, duke ngritur alarmin për krizën e përshkallëzuar të çmimeve të karburanteve.

Kjo situatë u cilësua si një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin ekonomik, pasi rritja e çmimeve po godet zinxhir gjithë ekonominë: rrit kostot e prodhimit, çmimet për konsumatorët, ul fuqinë blerëse dhe dëmton konkurrueshmërinë e bizneseve.

Organizatat evidentuan si problematika kryesore barrën e lartë fiskale, mungesën e transparencës në çmime, dobësitë në kontrollin e tregut dhe mungesën e koordinimit rajonal të politikave.
Në mënyrë të prerë, u kërkua ndërhyrje urgjente nga qeveritë për rishikimin e taksave, transparencë të plotë mbi çmimet, mbështetje për sektorët më të goditur dhe politika të qarta për sigurinë energjetike, si dhe një dialog funksional qeveri–biznes.

Në përfundim, u theksua se çdo vonesë në vendimmarrje do të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe qytetarët, duke e bërë të domosdoshëm reagimin e menjëhershëm institucional.