PANAIRI I PARE VIRTUAL RAJONAL

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perendimore në bashkëpunim me Forumin Ekonomik Mbarë Shqiptar, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Odën e Afarizmit të Kosovës organizon panairin e parë virtual rajonal, ku më shumë se 60 kompani nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut prezantuan produktet dhe veprimtarinë e tyre.

Qëllimi i këtij panairi virtual rajonal ishte promovimi i bizneseve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe krijimi i bashkëpunimeve ndërmjet kompanive të vendeve respektive e më tej.

Në fjalën e tij, Kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, z. Nagib Fejzi shprehu përgëzimet e tij për organizmin e këtij eventi, duke e konsideruar këtë iniciativë si një mundësi të artë për të rritur dhe intensifikuar bashkëpunimet rajonale midis tre vendeve duke pasur parasysh vështirësitë dhe pengesat që janë krijuar nga përballimi i pandemisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Nebi Hoxha, theksoi se bizneset shqiptare në rajon janë shumë të rëndësishme jo vetëm në aspektin ekonomik vendor, por se ato ndikojnë fuqishëm edhe mbi stabilitetin e përgjithshëm ekonomik në rajonal.

Gjithashtu, në fjalën e tyre, z. Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, dhe z. Skënder Krasniqi, Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, theks të veçantë i dhanë produkteve vendore si dhe nxitjen e bashkëpunimeve rajonale me qëllim promovimin dhe zhvillimin e produkteve shqiptare.