Reagim i FEMSH mbi situatën në zonat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës
Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSH) ka ndjekur me shumë vëmendje dhe interes zhvillimet e ngjarjeve në zonat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Disa ditë më parë këto komuna kanë pritur një vizitë pune nga një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH). Synimi i këtij takimi ishte njohja më së afërmi me sfidat e mëdha dhe vështirësitë që popullsia shqiptare po kalon në këto zona.
FEMSH bën thirrje që të eleminiohet çdo pengesë drejt integrimit të kompanive shqiptare në tregjet fqinje dhe më gjerë. Mbi të gjitha kërkohet barazi në trajtimin financiar dhe administrativ duke pretenduar të zbatohen të njejtat ligje dhe privilegje që gëzojnë bizneset serbe në Kosovë.
Në takimet e kryera nga delegacioni i KASH-it, përfaqësuesit e komunave të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës u bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të mbështesin me prioritet të lartë çështjen e të drejtave të tyre, duke filluar nga politikat financiare në mbështetje të bizneseve të cilat duhet të jenë gjithë përfshirëse dhe apartiake, pasi zhvillimi i biznesit është në interes të të gjithë komunitetit.
Çështja e spastrimit etnik modern, sikundër evidentohet nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe nga raportet dhe studimet e Komisionit të Helsinkut mbi të Drejtat e Njeriut në Serbi, mbetet për t’u zgjidhur përfundimisht pasi pasojat janë tepër të rënda dhe rrezikojnë të jenë të pakthyeshme. Disa nga pasojat që mund të përmendim janë pa dyshim hemoragjia e largimit të planifikuar të shtetasve shqiptarë duke reduktuar numrin e tyre si dhe të drejtat për përfaqësi, asgjësimi i pronave, banesave, bizneseve, vëndeve të punës dhe dëme të pallogaritshme në ekonominë vendase.
Duke vlerësuar pozitivisht vëmendjen që disa organizatave, siç janë “AFEDS” në Medvegjë, “KASH” apo Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane (AACL), i kanë dhënë kësaj çështje, FEMSH-ja shpreh shqetësimin e saj pasi territori në fjalë po i nënshtrohet një procedure administrative të pasivizimit të adresave të shtetasve shqiptarë që ndikon drejtpërdrejt negativisht në strukturën demografike dhe zhvillimin ekonomik duke vënë në rrezik të gjitha bizneset. Kemi të bëjmë me një situatë që kërkon ndërhyrje urgjente nga të gjitha përfaqësitë në qëndrat më të rëndësishme të vendimmarrjeve.
Synimi ynë mbetet bashkimi ekonomik kombëtar, premtim që deri më sot nuk është mbajtur, ndaj dhe ne do përpiqemi që çdo projekt i joni të ketë si vizion këtë objektiv.