Përfaqësitë e sipërmarrjes private: “Sipërmarrja në drejtim të kolapsit, të veprohet sa më shpejt, ja 8 propozimet”

Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar në bashkëpunim me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë dhe Shoqatat e Sipërmarrjes Private që operojnë në Republikën e Shqipërisë i propozojnë qeverisë shqiptare paketën finaciare për ndërhyrje në ekonomi:

Përfaqësitë e sipërmarrjes private janë duke ndjekur me shqetësim situatën alarmante të krijuar nga përhapja e virusit covid-19.
Vlersojmë punën që po kryen qeveria shqiptare në përballimin e vështirësive në këto momente delikate për parandalimin e kësaj pandemie boterore që ka mbërthyer edhe vendin tonë.Masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, si dhe zgjatja në kohë e këtyre masave, kanë prekur në mënyrë të drejtëpërdrejt bizneset duke shkaktuar një dëm serioz aktual dhe duke u shndërruar në një skenar shumë të rrezikshëm për të ardhmen e sipërmarrjes private në veçanti dhe ekonomisë shqiptare në tërësi.
Nisur nga situata që sipërmarrja private po përjeton si dhe faktit që ekonomia shqiptare është e brishtë dhe jo e gatshme të përballojë sfida të mëdha, përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit, pas një konsultimi të detajuar për një periudhë 2 javore, me të gjithë sektorët e sipërmarrjes private që operojnë në territorin e Repubikës së Shqipërisë, e shikojnë si domosdoshmeri ndërhyrjen nga ana e qeverisë shqiptare me një paketë të detajuar financiare, kurajoze dhe të zgjuar.
Konkretisht, propozojmë si më poshtë vijon:

1. Të kompensohen pagat e punonjësve dhe të përjashtohen nga të gjitha detyrimet fiskale deri në kthimin në normalitet, të gjitha:

a. Sipërmarrjet e sektorit të transportit të udhëtarëve urban, ndërurban dhe ndërkombëtar.
b. Sipërmarrjet e sektorit të hoteleri turizmit dhe agjensitë e rrugëtimit.
c. Sipërmarrjet e biznesit të vogël dhe të mesëm që janë të mbyllura si pasojë e masave shtrënguese.

2. Të përjashtohen deri në kthimin e normalitetit nga:

a. Detyrimet fiskale (tatim fitimi, tvsh, sigurimet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi në burim) për të gjitha sipërmarrjet, të ardhurat e të cilave, në muajin mars 2020 janë 20% më pak se mesatarja e muajt shkurt dhe janar 2020.
b. Të aplikohet 20% ulje të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe ujë për të gjitha sipërmarrjet në sektorin e prodhimit. OSSHE dhe UKT të mos ushtrojnë presion për kryerjen e pagesave në kohë dhe të mos aplikojnë kamatëvonesa për pagesat e faturave të ujit dhe dritave.

c. Detyrimet e sektorit të hotelerisë për taksën vendore (lek/krevat) si dhe të gjitha taksat e tjera vendore që kanë të bëjnë me pasuritë e sipërmarrjes private.

d. Të gjitha detyrimet nga taksat vendore për mjetet e transportit të udhëtarëve si dhe për ambientet që përdoren dhe shërbejnë për zhvillimin e aktivitetit të biznesit, edhe nëse këto ambiente janë me kontratë qiraje dhe jo vetëm në pronësi të vetë sipërmarrjes.

dh. Subvencion i 50 % të vlerës së qirasë për të gjitha sipërmarrjet e pezulluara nga masat shtrënguese për muajt mars dhe prill.

e. Për automjetet e transportit të pasagjerëve të shtyhet vlefshmëria e siguracionit dhe taksave për një periudhë të barabartë me kohëzgjatjen e pezullimit të veprimtarisë, por jo me pak se 3 muaj.ë. Të shtyhen automatikisht për një periudhe 3 mujore vlefshmëritë e të gjitha autorizimeve apo liçensave që sipërmarrja private posedon në ushtrimin e aktivitetit.
3. Të përjashtohen nga të gjitha detyrimet e pikës 2 si dhe të kompensohen nga qeveria shqiptare pagat e të gjithë punonjësve të kompanive, të ardhurat e të cilave, në muajin mars 2020 janë 30% më pak se mesatarja e muajt janar dhe shkurt 2020. (Në rast se kompanitë nuk kanë bërë shkurtime më shumë se 10% të fuqisë punëtore).

4. Garancia sovrane, e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private, duhet të jetë e pa limituar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që kanë një rënie të të ardhurave në muajin mars 2020 prej më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimi.
Këto sipërmarrje, aplikojnë për kredi vetëm:
– për likuidimin e pagave të punonjësve
– për likuidimin e furnitorëve
– për kapital qarkullues.
Garancia sovrane duhet të ofrohet:
a. Me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2%.
b. Shlyerja e kësaj kredie të fillojë në janar të vitit 2021, gjithmonë nëse do të jemi në fazën e kthimit në normalitet.
c. Kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më i lartë se 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredi marrëse.
5. Të rishikohet me mënyrë proceduriale të përshpejtuar buxheti, duke hequr dorë nga investimet dhe shërbimet publike jo bazike në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në mënyrë që të krijohen instrumentat e duhur financiare për të përballuar situatën Covid-19.
6. Qeveria shqiptare (institucionet e pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal), të marrë masat që të likuidojë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit prill 2020, si dhe të shlyejë në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë të anulluara me apo pa rishikim buxheti.
7. Të pranohet automatikisht nga sektori financiar kredidhënës kërkesa e sipërmarrjes private si kredimarrës për riskedulimin e kredisë (shtyerje afati të paktën 3 muaj) dhe në varësi të situatës së masave shtrënguese.
8. Për të gjitha donacionet, që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës Covid -19, kërkojmë njohjen e tyre si shpenzim i zbritshëm nga sistemi fiskal.
Miratimi i kërkesave të mësipërme, propozuar nga të gjitha përfaqësitë e sipërmarrjes private, do të sjellë një lehtësim të situatës duke bërë të mundur dhe rimëkëmbjen e shpejtë të aktivitetit ekonomik.