Takim i grupit të punës dhe moderatorëve për “Forumin Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim” janar 2026
Nën drejtimin e Kryetarit të Forumit Ekonomik të Shqipërisë (FEMSH), z. Nikolin Jaka, u zhvillua sot takimi i radhës i grupit të punës dhe moderatorëve për “Forumin Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim”, i cili do të mbahet në janar 2026 në Tiranë.
Ky forum synon të krijojë një platformë gjithëpërfshirëse për bashkëpunim mes institucioneve shtetërore, sektorit privat, akademisë dhe diasporës shqiptare, duke synuar zhvillimin dhe integrimin mbarëkombëtar.
Koordinatori i aktivitetit, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, në fjalën e tij theksoi se ky forum përfaqëson një mundësi historike për të unifikuar vizionin dhe veprimin drejt një të ardhmeje më të zhvilluar dhe të integruar për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve.
Diskutimi u përqëndrua te roli i moderatorëve të forumit: Prof. Selami Xhepa, Prof. Enver Hoxhaj, Prof. Dr. Ilir Çapuni dhe Prof. Besim Beqaj, të cilët do të udhëheqin panele të rëndësishme tematike; Strukturimi i axhendës dhe konsolidimi i temave strategjike që do të trajtohen gjatë forumit; Përzgjedhja e panelistëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të biznesit dhe aktorëve kyç të zhvillimit ekonomik rajonal dhe global.
Takimi u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi për të garantuar një organizim dinjitoz dhe me impakt afatgjatë. Pjesëmarrësit u angazhuan për të realizuar një Forum me mision mbarëkombëtar, që do të shërbejë si katalizator për zhvillim ekonomik, integrim rajonal dhe forcim të lidhjeve me diasporën.
Forumi Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike të vitit 2026 në rajon, duke shënuar një etapë të re në bashkëpunimin mbarëkombëtar dhe promovimin e potencialeve të zhvillimit.