OPEN BALKAN “MINISHENGEN BALLKANIK” Sa vlen dhe kujt i shërben

Në Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal “Open Balkan”, mbajtur në Shkup, u diskutuan dhe u nënshkruan disa marrëveshje mbi “4 liritë themelore të BE-së”, midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke vendosur theksin në nevojën e integrimit ekonomik dhe hapjen e tregjeve rajonale.

Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar përshëndet çdo nismë që i shërben bashkëpunimit ekonomik rajonal por ky bashkëpunim nuk mund të konceptohet dhe të ndërtohet pa pjesëmarrjen e të gjithë shteteve që janë pjesë e Ballkanit. Liritë themelore në rajon trajtohen në mënyrë të qartë dhe specifike në Marrëveshjen CEFTA ku janë të përfshirë dhe kanë nënshkruar mbi dakordësinë e tyre të gjithë vendet e rajonit.

Një nismë e tillë duhej të ishte konsultuar më parë me sipërmarrjen e rajonit dhe aq më shumë kur flitet në emrin e saj. Çdo iniciativë me rëndësi të veçantë, do të përkrahet atëherë kur kemi një informim paraprak dhe kur qëllimet pozitive të saj të mos cënojnë interesat e kompanive në veçanti dhe rolin e tyre në përgjithësi.

Vlerësojmë çdo nismë politike që zhvillohet në kuadër të procesit të Berlinit, i cili merr në konsideratë specifikat ekonomike të vendeve tona, duke stimuluar një klimë pozitive të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, lidhur ngushtë dhe me prespektivën e integrimit në BE. Zona Ekonomike Rajonale e Ballkanit Perëndimor krijon mundësi dhe projekte konkrete duke tërhequr më shumë investime të huaja direkte që sjell në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Përfitime reale nga këto nisma, për sipërmarrjen mbarë shqiptare, ka atëhere kur shihen veprime konkrete në drejtim të bashkëpunimit ekonomik me përfitime të ndërsjellta. Kjo nismë nuk do të sjellë efektin e dëshiruar për sa kohë vendet ndodhen në kushte të pabarabarta ekonomike midis tyre. Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla sjell rrezikun që ekonomitë më të vogla të rajonit të mbizotërohen nga ato më të mëdha.

Në këto kushte shpejt do të ndodhemi përpara faktit kur një vend do të përfitojë nga eksporti ndërkohë që vendi tjetër do të përballet me humbje për shkak të importeve. Pra është shumë e rëndësishme që të garantohet zgjerimi i tregut duke mbrojtur ekonominë e secilit vend me shmangien e konkurrencës së pandershme.

Ndërkohë që diskutohet dhe nënshkruhen marrëveshje për hapjen e tregjeve rajonale në Ballkan, aktualisht sipërmarrjet hasin barrierra të shumta që pengojnë zhvillimin e tregtisë së lirë në hapësirën mbarë shqiptare si:

– tarifa të larta për kryerjen e procesit të zhdoganimit;
– çmimet e referencës;
– pamjaftueshmëria e njohjes së kërkesave ligjore, rregullatore e procedurale të lidhura me eksportet dhe importet të produkteve me origjinë shtazore; -barriera dhe kontrolle fizike të mbingarkuara në pikat e kalimit të kufirit;
– pamjaftueshmëria e koordinimit mes agjencive kufitare etj.

Për sipërmarrjen mbarë shqiptare çdo vonesë dhe barrierë administrative që haset në pikat e kalimit të kufirit përkthehet në kosto, për këtë arsye lind nevoja e zgjidhjeve konkrete imediate.

Ndaj, hapi i parë që duhet të ndërmerret në funksion të integrimit ekonomik rajonal është eleminimi i barrierave që sipërmarrjet hasin gjatë shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut si vende me zhvillim të njëjtë ekonomik.