Nisma për zhvillimin e “Forumit Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim”, temat që do diskutohen

Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zhvillimin e “Forumit Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim”, një event i rëndësishëm që synon të vendosë bazat për një qasje të përbashkët ndaj sfidave dhe potencialeve ekonomike mbarëshqiptare.

Ky forum, i cili do të mbahet në muajin janar 2026, do të mbledhë së bashku përfaqësues të lartë të biznesit, politikës, institucioneve dhe diasporës shqiptare, nga të gjitha trojet shqiptare, me synimin për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të ndërtuar ura konkrete në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian.

Gjatë forumit do të trajtohen disa nga temat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit, përfshirë:

  • Integrimi dhe rrjetëzimi ekonomik në hapësirën mbarëkombëtare – Roli i organizatave të biznesit dhe nevoja për bashkëpunim të strukturuar ndërshqiptar.
  • Tendencat dhe sfidat ekonomike globale – Mundësitë për vendet me ekonomi në zhvillim dhe strategjitë e përshtatjes.
  • Roli i diasporës shqiptare – Promovimi i investimeve dhe tërheqja e kapitalit të huaj përmes rrjetit të fuqishëm të profesionistëve shqiptarë jashtë vendit.
  • Teknologjia dhe ekonomia e gjelbër – Si mund të shndërrohet rajoni në një model të zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit.
  • Ndërkombëtarizimi i arsimit dhe zhvillimi i tregut të punës – Ndërtimi i një hapësire të përbashkët ekonomike dhe arsimore ndërshqiptare.

“Forumi Ekonomik për Zhvillim dhe Integrim” synon të jetë një platformë konkrete bashkëpunimi, ku do të prezantohen nisma të reja, projekte rajonale dhe mundësi investimi, duke forcuar lidhjet mes komuniteteve shqiptare kudo që ndodhen.