Kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar pjesë e Konventës së dytë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës

Kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, z. Nagib Fejzi mori pjesë në Edicionin e Dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës. Në Konventë ishin të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministri Ekonomisë në Republikën e Kosovës znj. Rozeta Hajdari si dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatave te Prodhuesve. Synimi kryesor i këtij takimi është diskutimi i hapur rreth temave të cilat ndikojnë në fuqizimin e prodhuesve dhe që rrisin konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Kosova”.

Konventa e Prodhuesve të Kosovës është ngjarje gjithëpërfshirëse, që përfshin prodhuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve, institucionet dhe agjencitë qeveritare dhe përfaqësues të ambasadave dhe të organizatave jo-qeveritare nga Kosova dhe rajoni.

Gjatë Konventës u diskutua mbi tregtinë e Kosovës me vendet e rajonit, mundësitë dhe sfidat e këtij bashkëpunimi.
Z. Fejzi theksoi nevojën e thellimit të dialogut me institucionet shtetërore për arritjen e rezultateve konkrete në eleminimin e barrierave gjatë shkëmbimeve tregtare në rajon. Ai shprehu se: “Pa harmonizimin e lidhjeve rajonale nuk do të kemi as bashkimin rajonal, kështu që me ndihmën e prodhuesve, ju garantoj që ne do ta harmonizojmë edhe politikën rajonale”.
