Deklaratë për mediat Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH)
Koha për Strugën që meritojmë – Me Mendi Qyrën për drejtim efikas, zhvillim urban, investime strategjike, punësim dhe jetë kulturore e sportive aktive Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH) shpreh vlerësimin më të lartë për z. Mendi Qyra – një ndër figurat më përfaqësuese të sipërmarrjes shqiptare dhe një drejtues i spikatur në jetën institucionale dhe ekonomike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Z. Qyra është njëri ndër themeluesit e Forumit Ekonomik Mbarëkombëtar Shqiptar dhe aktualisht mban detyrën e Nënkryetarit të tij – duke mishëruar vlerat e përfaqësimit dhe bashkëpunimit mbarëshqiptar. Me një përvojë të konsoliduar në fushën e biznesit dhe zhvillimit institucional, Mendi Qyra ka ndërtuar një profil të fortë drejtuesi në rrafshin ekonomik, qytetar dhe kombëtar. Ai është një ndërtues i suksesshëm, realizues i shumë projekteve ndërtimi në Shkup, Ohër dhe Strugë, duke krijuar vende pune dhe standarde të reja në treg. Së fundmi, ai ka realizuar një nga investimet më përfaqësuese të turizmit elitar në Strugë – hotelin “Embla”, një hotel luksoz me 5 yje, që shënon një hap të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së ofertës turistike dhe mikpritëse të qytetit. Si Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ai ka udhëhequr dhe transformuar këtë institucion, duke e kthyer në një aktor me ndikim konkret në politikëbërjen ekonomike dhe përfaqësimin dinjitoz të bizneseve shqiptare. Përveç angazhimeve në fushën ekonomike, z. Qyra ka kontribuar fuqishëm në jetën kulturore, sportive dhe komunitare edhe me themelimin e Klubit të Futbollit “Fc Struga”, një model suksesi në organizimin sportiv dhe zhvillimin e të rinjve. Kandidatura e tij për drejtimin e Strugës nuk është vetëm një hap personal, por një shprehje e qartë e kërkesës së qytetarëve për ndryshim dhe për një qeverisje më efikase, transparente dhe të fokusuar te zhvillimi afatgjatë. Si kandidat i pavarur, ai gëzon një mbështetje të gjerë nga qytetarët e Strugës dhe komuniteti i biznesit – dhe është koha që edhe partitë politike ta mbështesin këtë model, duke vënë interesat qytetare mbi interesat e ngushta partiake. Z. Mendi Qyra përfaqëson modelin e drejtuesit të suksesshëm dhe bashkëkohor – me integritet, vizion strategjik dhe aftësi për të bashkuar njerëz, ide dhe energji në funksion të zhvillimit të Strugës. Me cilësitë dhe angazhimin e tij kemi bindjen se do të përmbushen kërkesat dhe nevojat që ka Struga sot:
- Drejtim efikas dhe profesional të administratës publike
- Zhvillim urban të planifikuar dhe të qëndrueshëm
- Nxitje të investimeve strategjike që sjellin punësim cilësor
- Fuqizim të tregut të punës me fokus te rinia
- Rikthim të Strugës si destinacion turistike dhe qendër e gjallë kulturoree sportive Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar Shqiptar e konsideron këtë kandidaturë si një mundësi reale për zhvillimin e Strugës, dhe një shembull i qartë i bashkimit të energjisë qytetare me përvojën profesionale për të ndërtuar të ardhmen e këtij qyteti.