FEMSH në një kapitull të ri: Prof. Dr. Besim Beqaj merr drejtimin e Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar

Më 31 mars 2026, u realizua zyrtarisht kalimi i drejtimit të Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSH) nga z. Nikolin Jaka tek Prof. Dr. Besim Beqaj, i cili do të ushtrojë detyrën e Kryetarit në periudhën në vijim.

Ky tranzicion përfaqëson vazhdimësinë e vizionit të përbashkët të Forumit për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mbarëshqiptar, promovimin e dialogut institucional dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në hapësirën shqiptare.

FEMSH shpreh mirënjohje të veçantë pë r kontributin dhe lidershipin e z. Nikolin Jaka në konsolidimin dhe zhvillimin e Forumit, si edhe për rolin dhe angazhimin e vazhdueshëm të z. Nagip Fejzi në ndërtimin e kësaj platforme bashkëpunimi ekonomik.

Në fjalën e tij, Kryetari i ri, Prof. Dr. Besim Beqaj, theksoi rëndësinë e vijimësisë, bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët institucional, duke nënvizuar se Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar mbetet një platformë e përbashkët në funksion të zhvillimit ekonomik dhe interesit kombëtar.

Prof. Dr. Besim Beqaj është një ekonomist me përvojë të gjerë akademike, institucionale dhe në sektorin privat. Ai ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Universitetin e Zagrebit, ndërsa doktoratën në Universitetin e Prishtinës, pas pjesëmarrjes në European Doctoral Program in Small Business Administration në Universitat Autònoma de Barcelona dhe Växjö University në Suedi.

Ai është përfitues i bursës prestigjioze Fulbright në Illinois Institute of Technology në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aktualisht ligjëron në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë karrierës së tij profesionale dhe publike, Prof. Beqaj ka mbajtur funksione të rëndësishme shtetërore dhe institucionale, duke shërbyer si Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ministër në disa dikastere të Qeverisë së Kosovës, si dhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ai është gjithashtu themelues i Horizon School në Kosovë dhe angazhohet në fushën e konsulencës për zhvillimin ekonomik dhe politikat publike.

“Integrimi ekonomik nuk është qëllim – është mjet për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet.”
– Prof. Dr. Besim Beqaj