Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar takim me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ekonomi.

Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSH) zhvilloi një takim me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ekonomi. Kryetari i FEMSH, z. Nagib Fejzi, ishte i shoqëruar nga anëtarët e Bordit Drejtues të FEMSH: z. Mendi Qyra Nën Kryetar i FEMSH, z. Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nebi Hoxha Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore, z. Berat Rukiqi Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Aleks Millo anëtar i FEMSH si dhe znj. Joana Arapi Drejtor Ekzekutiv i FEMSH. Në takim ministrja Ekonomi shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit z. Bledar Skënderi.

Gjatë takimit, Kryetari Fejzi vendosi theksin mbi barrierat administrative që bizneset përballen gjatë shkëmbimit tregtar ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, domosdoshmërinë për lehtësimin dhe eleminimin e këtyre pengesave për të rritur aftësinë eksportuese të sipërmarrjes ndërmjet tre vendeve.

Po kështu, z. Jaka, z. Hoxha dhe z. Rukiqi përcollën shqetësimet e vazhdueshme që sipërmarrjet e vendeve respektive hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre eksportues, si: tarifat e larta për kryerjen e procesit të zhdoganimit, çmimet e referencës, njohja reciproke e certifikatave të analizës, bllokimi i eksportit të produkteve me origjinë shtazore në Maqedoninë e Veriut etj., duke kërkuar eleminimin e tyre për të mundësuar arritjen e një ekonomie komplementare.

Ministrja Ekonomi siguroi në takim se do të vijojë bashkëpunimi me homologët rajonal për lehtësimin e këtyre pengesave dhe rritjen e aftësive eksportuese të bizneseve.