Kryetari Nagib Fejzi: “Të hapen kufijtë pa asnjë kusht: Po humbim remitancat e Diasporës”
Kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, Z. Nagib Fejzi, në lidhje direkte me EuroNews, u shpreh se metoda që po përdor sot Republika e Maqedonisë së Veriut është absurde, ndërsa kërkon hapjen pa asnjë kusht të kufijve duke nisur nga e hëna e javës që vjen.
Sipas tij, në këto kushte vendi është duke humbur remitancat që vijojnë nga diaspora që janë burimi kryesor i ekonomisë së vendit.
“Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore kanë bërë një lobim të fuqishëm dhe mundohemi me çdo kusht se tani jemi në një situatë kaotike; mosardhja e diasporës dimë se çfarë na sjell, por nga dje kemi njohuri që lëviz diçka në atë drejtim që të hapen kufijtë. I vetmi shtet në botë është Maqedonia me ngjyrë të kuqe që ende kërkon vetizolim edhe kur testi i COVID është negativ.
Situata ekonomike tek ne ka qenë që në fillim shumë e rëndë, s’kemi turizëm apo industri të rëndë. 1,8 mln euro kur GDP e Maqedonisë së Veriut është 6 mld. Kompanitë shqiptare kanë falimentim të sigurt në tetor-nëntor. Shpresojmë që nga e hëna të shkojmë e të vijojmë në Shqipëri e Maqedoni”, tha ai.